Gjergj Vyshka 12.03.2016 20:35
Asambleja zgjedhore e Federatës Shqiptare të Basketbollit, e cila do të mbahet më 30 mars 2016, përsëri do të jetë jashtë Tirane. Nëse katër vjet më parë është zhvilluar në Valbonë, këtë herë, edhe me vendimin e kryesisë dje, do të zhvillohet në Korçë në sallën e ish-kampit të punëtorëve duke nisur nga 10:00.
Madje, me vendim të kryesisë dje do të jetë një proces që do të shkojë direkt në zgjedhje pa pasur debate, sepse të gjithë kandidatët e propozuar për anëtarë të Kryesisë dhe për president duke filluar që dje e deri më 28 mars, në mesnatë, do të kenë kohën e duhur në dispozicion për të bërë fushatën dhe për të shpallur platformën e tyre.
Ndërkohë, tashmë është pranuar dhe kandidatura e Arben Fagut për president, ndërsa është vendosur që t’i vihen në dispozicion të gjitha materialet, apo informacioni i kërkuar për procesin zgjedhor, listën e shoqatave me të drejtë dhe pa të drejtë vote, si dhe delegatët me të drejtë vote.
Në fakt kryesia, që dje ka qenë e përbërë nga presidenti Ponari, anëtarët Vaso Shaka, Bashkim Milo, Ilir Taflaj dhe Artan Terihati, kanë vendosur paraprakisht që bazuar në statutin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, neni 5, pika 4, shoqatat anëtarë të FSHB-së, miratuar nga KD-ja e FSHB-së, në kohë të ndryshme janë lejuar të marrin pjesë në aktivitetet e saj, do t’i nënshtrohen procesit të votimit për miratim me të drejtë vote në seancën e parë të Asamblesë Zgjedhore me 30 mars dhe më pas do të vijojë procesi zgjedhor për kandidaturat për president dhe anëtarë të kryesisë për sezonin 2016-2020.
Sakaq është krijuar dhe një këshill konsultativ i përbërë nga Virgjil Karaj, Ilir Trebicka, Kostandin Shkurti, Bashkim Milo, Orion Glozheni, Viktor Papavangjeli, Niko Profkola, Lida Shehu, Jorgji Shundi, Gazmend Çaçi dhe Valentina Myrto. Kësisoj Fagu-Ponari do të jetë dueli për president, ndërsa ato që kanë mbetur në heshtje dhe sekret kanë qenë kandidatët për anëtarë kryesie. Megjithatë tashmë fushata është e hapur dhe zgjedhjet do të kryhen në Korçë.