AlbanianSport.com 24.10.2014 11:05
ASNN – UEFA vendosi që t’i japë Serbisë fitoren 3-0 aforfe për ndeshjen me Shqipërinë. Kështu Shqipëria humbet në tavolinë ndeshjen e ndërprerë në Beograd më 14 tetor. Nga ana tjetër, Serbisë i hiqen 3 pikë nga renditja e grupit eliminator të Evropianit për shkak të dhunës së ushtruar ne stadium. Ky është vendimi i UEFA-s lidhur me ndeshjen Serbi-Shqipëri të 14 tetorit.
Komiteti i Disiplinës në UEFA vendosi të dënojë Serbinë edhe me dy ndeshje pa tifozë në fushën e saj, ndërsa të dyja federatat kanë marrë një gjobë prej 100 mijë eurosh. FSHF ka bërë të ditur se brenda 5 ditësh do të ankimojë në Apel vendimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës në UEFA. Pas këtyre vendimeve, Shqipëria mbetet në kuotën e 4 pikëve pas 3 ndeshjeve, ndërsa Serbia ka vetëm 1 pike, pas dy takimeve të luajtura.
Vendimi i Komitetit të Kontrollit, Etikës dhe Displinës në UEFA, mbi episodet e ndeshjes Serbi-Shqipëri, datë 14 Tetor 2014, ndeshje e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian “Francë 2016”, vijon si më poshtë:
Dënimet për Federatën Shqiptare të Futbollit:
- Federata Shqiptare e Futbollit humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0.
- Federata Shqiptare e Futbollit gjobitet gjithashtu në vlerën 100.000 euro.
Dënimet për Federatën Serbe të Futbollit:
- Federata Serbe e Futbollit dënohet me heqjen e 3 pikëve në renditjen e saj në Grupin I, ku ajo bën pjesë.
- Federata Serbe e Futbollit gjobitet gjithashtu në vlerën 100.000 euro.
- Federata Serbe e Futbollit dënohet për 2 ndeshje radhazi të luaje pa tifozë në takimet e radhës të Eliminatoreve të Euro 2016-s.