ASNN – Krenar Zeneli, Arjon Kajoshi, Syrja Marinaj dhe Nelson Hysa, janë katër boksierët kuqezi të kombëtares së Shqipërisë, të cilët do të ndeshen sot pasdite në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, për finalet e Turneut të 13-të Ndërkombëtar të Boksit “Memorial Vllaznia 2016”, veprimtari kjo që ka nisur që të premten dhe që mbrëmë mbylli ditën e dytë eliminatore.
Ashtu si edhe në ditën e parë, edhe në të dytën kombëtarja e Shqipërisë pati të njëjtin bilanc, duke realizuar dy fitore dhe dy humbje. Me fitore i mbyllën ndeshjet e tyre dy boksierët e talentuar, vlonjati Krenar Zeneli në peshën deri në 56 kg, duke mundur pastër 3-0 maqedonasin Jasin Lama dhe shkodrani Arjon Kajoshi, i cili mundi po 3-0 malazezin Ermin Sabotiç.
Ndërkohë dy humbjet e ditës së dytë i pësoi Mateo Çullhai dhe Emiliano Xhediku, të cilët u mundën përkatësisht në peshat e 75 dhe 91 kg nga kazakistanasi Alzhanov dhe ukrainasi Pinçuk. Me katër boksierë të kualifikuar në ditën e tretë finale në kampin kuqezi duken të kënaqur me këtë shifër duke shpresuar që të paktën dy prej tyre do të mund të fitojnë medaljet e arta.
Shqipëria duket se rivalitetin më të madh në këtë ditë do ta ketë me kombëtaren e Kazakistanit, e cila nga ana e saj ka arritur të kualifikojë 7 boksierë në finale, si dhe me atë të Kosovës me 5 boksierë të kualifikuar në finale. Ndërkohë ka befasuar Ukraina, që në finalet e sotme do të përfaqësohet me 3 boksierë finalistë.
Turneu i 13-të Ndërkombëtar i Boksit
“Memorial Vllaznia 2016”
Rezultatet teknike të ditës së dytë:
Pesha 56 kg Lama (Maqedoni) – Zeneli (Shqipëri) 0-3
Pesha 64 kg Rrasi (Kosovë) – Mekiç (Mali i Zi) RSCH
(fiton boksieri kosovar, për tërheqje të kundërshtarit)
Pesha 64 kg Mger (Ukrainë) – Oskenbek (Kazakistan) 3-0
Pesha 75 kg Çullhaj (Shqipëri) – Alzhanov (Kazakistan) 0-3
Pesha 75 kg Sabotiç (Mali i Zi) – Kajoshi (Shqipëri) 0-3
Pesha 91 kg Xhoxhaj (Kosovë) – Pulev (Bullgari) 3-0
Pesha +91 kg Xhediku (Shqipëri) – Pinçuk (Ukrainë) 0-3