AlbanianSport.com 12.03.2016 20:25
ASNN – Tirana ka shmangur, të paktën për momentin, zbritjen e pikëve nga renditja, pasi, me ndërmjetësinë e Federatës Shqiptare të Futbollit, ka arritur një pakt me FIFA-n, që i jep të drejtën që deri në fundin e muajit prill të shlyejë një pjesë të borxheve më problematike. Në total, fatura për këto detyrime të pashlyera, kryesisht të trashëguara, shkon në 232 mijë euro.
Organizmi që qeveris futbollin botëror, FIFA, ia ka shtyrë Tiranës afatin e shlyerjes së borxheve që ka ndaj disa lojtarëve të huaj. Ndonëse fillimisht ishte pohuar se afati i fundit ishte 8 marsi, me ndërmjetësinë e Federatës Shqiptare të Futbollit, klubi bardheblu ka arritur një pakt me FIFA-n, që i jep të drejtën që deri në fundin e muajit prill të shlyejë një pjesë të borxheve më problematike.
Mes borxheve të akumuluara, detyrimeve të prapambetura me lojtarët e larguar dhe ato me administratën e tatimeve, bilanci i klubit të Tiranës është me një minus prej 1.3 milionë dollarësh. Më të fundit që krijojnë presion janë çështjet: Panathinaikos, Bushiç, Pejiç, Ndikumana dhe Ristevski. Në total, fatura e bardhebluve për këto gjyqe shkon në 232 mijë euro.
Të shumtë janë futbollistët e huaj që janë larguar pa marrë shumën e premtuar dhe rrjedhimisht u janë drejtuar zyrave të FIFA. Kjo e fundit është treguar strikte në sezonet e fundit me kushtet e “fair play”-t financiar, duke mos kursyer as klube të Superiores. Kështu, pas ndëshkimit të Flamurtarit, Dinamos dhe Kastriotit, rrezikon heqje pikësh edhe Tirana, ndërkohë që një tjetër klub që rrezikohet është dhe Bylisi.