Gjergj Vyshka 12.03.2016 11:15
Klubeve shqiptare, apo dhe atyre private në futboll, basketboll, volejboll dhe sporteve të tjera u është bërë ftesë për të marrë pjesë në Lojërat e Bashkuara Botërore, që do të zhvillohen në Klagenfurt të Austrisë, nga data 16, deri më 19 qershor të këtij viti. Sipas organizatorëve është një eveniment dhe turne sportiv i jashtëzakonshëm, ndërsa do të jenë ditë të paharrueshme për të rinjtë dhe të rejat që ushtrojnë sportin.
Bëhet fjalë për moshat 11-18 vjeç, ndërsa do të jenë 7000 pjesëmarrës nga 40 shtete të Botës. Vitin e kaluar e ka përfaqësuar Shqipërinë Shkodra, me ekipet e saj. “Me kënaqësinë që mund të ndihmojë ekipet shqiptare, të cilat dëshirojnë të marrin pjesë, thjesht më kontaktoni. Do të jenë të mirëpritur dhe një ekip gjyqtarësh futbolli”, ka thënë në ftesën e tij për të gjitha klubet shqiptare Roland Luçi, ish-sulmuesi i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare, por dhe ish-trajneri i kuqebluve.