Nga Gjergj Vyshka 11.03.2016 22:05
Gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë për femra jashtë çdo rregullore do të luhen në sallën Nr. 2 të “Asllan Rusit”, kurse finalet ndryshojnë oraret sepse ka ndeshje kampionati i koshit. Nuk ishte parë e dëgjuar që në Shqipëri volejbolli e basketbollit, të paktën në rang drejtuesish, të mos kishin mirëkuptim, kur vjen puna për veprimtaritë madhore siç janë këtë fundjavë finalet e Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra. Që do të thotë se dy gjysmëfinalet, Barleti Volej-Vllaznia dhe Tirana-Teuta, do të luhen në sallën nr. 2 të “Asllan Rusit”, sepse në sallën kryesore janë dy ndeshje të kampionatit të basketbollit, Studenti-Kamza Basket për femra dhe Partizani-Kamza Basket për meshkuj.
Dy ndeshje që kanë edhe efekt televiziv, sepse do të transmetohen nga “TeleSport”-i, ndërsa volejbollit “i vihet bërryli” dhe shkon në sallën Nr. 2, atje ku gjysmëfinale dhe finale të Kupës së Shqipërisë, apo dhe ndeshje të një niveli të tillë të “play-off”-it për titull nuk janë bërë asnjëherë. Sepse nuk plotëson standardet për një fazë kulmore të sezonit. Më tej akoma, të paktën edhe sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, ndeshjet finale, ato për vend 3-4 dhe 1-2, do të zhvillohen në ora 15:00 dhe 17:00 në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, por pa shtruar tarafleksin, sepse në ora 19:00 luhet ndeshja e basketbollit të meshkujve Superiori-Elbasani e vlefshme për Kategorinë e Parë.
Basketbolli ka një justifikim, sepse e ka nisur më shpejt sezonin se volejbolli dhe të gjitha oraret e tanishme janë vendosur që në fillim të këtij sezoni. Por nëse do të kishte më shumë “bon-sens” mund të kishte dhe zgjdhje alternative, të cilat ekzistojnë siç është rasti i ndeshjes së meshkujve në Shkodër, Vllaznia-Teuta, e cila do të luhet në Durrës, sepse në “Qazim Dervishi” do të zhvillohet “Memorial Vllaznia” në boks. E gjitha kjo, duke e kthyer tashmë si një veprimtari të rëndomtë finalen e Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra, gjë që realisht ekziston sepse dihet që finalja do të jetë Barleti Volej-Tirana, duket si një sfidë ndaj drejtuesve aktual të Federatës Shqiptare të Volejbollit.
Sepse është e sigurt sikur të ishin drejtuesit e dikurshëm, Doçi-Tase, apo dhe kryesia e vjetër, volejbolli jo vetëm që do të ishte në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, por dhe do ta kishte bërë Kupën e Shqipërisë pa filluar faza e dytë e jo tani në mes të sezonit. Pa thënë që skuadrat pritëse të kësaj jave në kampionatin e koshit duket sikur po i bëjnë sfidë dhe drejtuesve aktual të Federatës Shqiptare të Basketbollit, të cilët mund të kenë pasur dhe dëshirën për të bërë një lëshim për të mirën e Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra. Por përfundimisht ky është skandali i radhës, basketbolli vë përfund volejbollin dhe i fut “shqelmin” e çon përsëri në sallën Nr. 2…