AlbanianSport.com 11.03.2016 19:35
ASNN – Duke folur pas mbylljes së Kupës së Shqipërisë, Sekretari i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Albens Vokopola, tha: “Ishte një finale Studenti-Teuta shumë interesante, e cila filloi me një surprizë të themi kështu, teksa Teuta kryesoi deri në 2-0 dhe më pas erdhi kthesa e Studentit që e bëri ndeshjen shumë interesante.”
“Teuta në fakt më pëlqeu fort që në ndeshjen e parë që fitoi ndaj Vllaznisë duke parë që kuqeblutë kanë një ekip goxha premtues dhe nga rezultatet e fundit i ka shumë mirë, – ka vijuar nr. 2 i organizmit që qeveris volejbollin shqiptar. – Ne si Federatë jemi të kënaqur nga ecuria e kësaj veprimtarie.”
“Dhe mund të them se FSHV po punon për t’i dërguar këto finale nëpër qytete të ndryshme siç ishte rasti Shkodrës”, – ka përfunduar Sekretari i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Albens Vokopola. Ndërsa “mikpritësi” i Kupës, Shefi i klubit shumësportësh “Vllaznia”, Mark Krroqi, shprehu kënaqësinë e një misioni të përmbushur.
“Çdo gjë shkoi më së miri, më vjen mirë që pati rivalitet, pati grintë, ekipet dhe sidomos ai i Teutës luftoi deri në fund dhe kjo është një mësim edhe për ekipet e tjera, – tha ai. – Mund të them se ky aktivitet ishte shumë pozitiv, pavarësisht që Vllaznia nuk arriti suksesin e dëshiruar”