Gjergj Vyshka 11.03.2016 17:55
Ajo që do të përbëjë risinë në kombëtaren e basketbollit shqiptar do të jetë pjesëmarrja e dy amerikanëve, të cilët në momentin e caktuar drejtuesit e Federatës Shqiptare të Basketbollit do të jenë të gatshëm t’i japin pasaportë. “Jemi këtu për të prezantuar një sërë veprimtarish që lidhen me 70-vjetorin e themelimit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, – ka thënë presidenti Avni Ponari.
“Është viti i parë që marrim pjesë me shtatë ekipe, pesë moshash dhe dy të rriturish, – ka vijuar ai. – Dhe jemi këtu për të nënshkruar këtë marrëveshje, ndërsa shpresojmë që Konstantinides të jetë një shkollë për trajnerët tanë. Ne shpresojmë në kontributin e tij, ndërsa ai është aktualisht trajneri i SIGAL Prishtinës. Janë gati 40.000.000 lekë të rinj që do të shpenzohen për këto kombëtare, por besojmë edhe tek rezultatet pozitive.”
Ponari është ndalur dhe tek tentativa për të marrë të paktën dy amerikanë në kombëtaren shqiptare. “Janë 4-5 kandidatura, – ka pohuar kreu i organizmit që qeveris basketbollin shqiptar. – Mos harroni që thuajse të gjitha ekipet në Evropë kanë lojtarë të tillë e kjo vlen dhe për Maqedoninë e Malin e Zi. Shumë shpejt do t’i bëjmë të ditur edhe emrat e tyre.”
Eurobasket 2017
Grupi F
Kalendari i kombëtares së meshkujve:
31 gusht Gjeorgji – Shqipëri
3 shtator Shqipëri – Mali i Zi
7 shtator Sllovaki – Shqipëri
10 shtator Shqipëri – Gjeorgji
13 shtator Mali i Zi – Shqipëri
17 shtator Shqipëri – Sllovaki