AlbanianSport.com 11.03.2016 12:05
ASNN – Duke folur pas suksesit në finale, trajneri i Studentit, Ylli Tomorri, tha: “Finalet të tilla të vështira janë në fakt, por unë mund të përgëzoj Teutën, i cili bëri paraqitjen më të mirë që unë kam parë në këto kohët e fundit, me një shpirt luftarak, me një grintë, me një dëshirë për ta fituar kupën. Edhe pse ne normalisht sulmohemi nga të gjithë ekipet për të na i marrë trofetë, meqë u bënë kaq vite që ne fitojmë, por normalisht volejbolli është i tillë që, kur atëherë kur nuk e mendon, të tradhton dhe atëherë kur nuk e mendon, ti mund të humbasësh siç rasti i Vllaznisë në ditën e parë.”
“Të njëjtën gjë mund ta pësonim edhe ne në finale, nuk ishte ndonjë çudi e madhe, – ka vijuar trajneri i kampionëve në fuqi, tashmë pronarë të Kupës. – Në fakt asnjëherë nuk e mendova se mund të humbisja, sepse e ruajtja qetësinë deri në fund, por problemi është se edhe mund të humbnim. Kampionati do të jetë patjetër me rivalitet, sepse edhe deri më tani ecuria e deritanishme ka treguar se të gjitha skuadrat kanë mundur njëra-tjetrën dhe të gjitha janë me humbje. Nuk është çudi që të ketë surpriza. Vllaznia ka një rritje të mirë dhe të kënaqshme dhe më vjen mirë që Vllaznia është e tillë.”
“Unë do të doja një finale Studenti-Vllaznia dje që do të kishte tjetër atmosferë me publik entuziastë, do të ishte feste”, – ka përfunduar trajneri i Studentit, Ylli Tomorri. Ndërsa homologu i tij, trajneri i Teutës, Leonard Marangoni, tha: “Më shumë jam i zhgënjyer me fatin se sa me skuadrën, sepse djemtë e mi luajtën mjaft mirë dhe bënë një prezantim të mrekullueshëm. Jam shumë i kënaqur me mobilizim e tyre dhe vetëm fati ndikoi në mosfitimin e turneut, pasi ia bëmë “hyzmetin”, në fakt. Ne kemi qenë gjithmonë pretendent këto vitet e fundit në volejbollin e meshkujve.
“Siç e treguan edhe në Kupën e Federatës që ishim finalistë dhe humbëm po 2-3 me Studentin. Patjetër që do të jemi përsëri pretendentë në vazhdim”, – ka përfunduar trajneri i Teutës, Leonard Marangoni.