AlbanianSport.com 10.03.2016 10:40
Veprimtaria e dytë e futbollit kontinental, Liga e Evropës, luan sonte ndeshjet e para të turit të saj 16-shes dhe padyshim çifti më i spikatur është ai anglez, Liverpul-Mançester Junajtid. Ky derbi britanik, që ishte padyshim që kapriçio e pamëshirshme e shortit, vë përballë dy skuadra që kanë shkruar historinë e futbollit anglez, por edhe atij evropian, në këtë gjysmëshekull të fundit.
Rivaliteti midis tyre mishëron në vetvete futbollin anglez të klubeve, me të dyja skuadrat që e kanë dominuar atë për vite të tëra. Por sfida e sotme i gjen këto dy gjigande të futbollit britanik , të dyja ish-kampione të Evropës, të detyruara të kënaqen me shpresën për të bërë të tyren trofeun e dytë të Evropës. Për më tepër, të dyja skuadrat nuk janë aty ku do të kishin dëshiruar edhe në kampionatin anglez, duke mbetur prapa në luftën për titull.
Këto dy ndeshje të turit të 16-shes së Ligës së Evropës mund të vulosin edhe fatin e trajnerit të Mançester Junajtid, holandezit Luis Van Gal, i cili ka zhgënjyer në krye të stoli të “Djajve të kuq”. Sikundër gjatë gjithë këtij sezoni, edhe kjo supersfidë e futbollit evropian do të vijë sonte, duke nisur nga ora 21:05, drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, së bashku me të gjithë golat e 8 ndeshjeve të tjera.