AlbanianSport.com 09.03.2016 20:00
ASNN – Janë luajtur të mërkurën të gjitha takimet e javës së 25-të të Kategorisë Superiore dhe Skënderbeu e ka ruajtur epërsinë prej 4 pikësh në krye të renditjes, pasi ka mundur minimalisht në fushën e vet Teutën. Në fakt, takimi i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka nisur praktikisht me gol, pasi në minutën e 6-të, Xhejmsi ka përfituar nga një gabim i mbrojtjes durrsake, duke dalë i vetëm përballë portierit Moçka dhe duke i dhënë mundësi Latifit të shënojë.
Korçarët kryesojnë 1-0 dhe në minutën e 22-të, gjejnë një tjetër gol me Salihin, por që anulohet për pozicion jashtëloje. Pjesa e parë do të flasë në vijim më tepër për Teutën, që rrezikon, por pa e gjetur dot golin e barazimit. Me epërsinë njëgolëshe të vendasve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa në ato të dytat, loja do të jetë kryesisht e barazpeshuar, me Salihin që pretendon për një 11-metërsh të padhënë dhe me Teutën që rrezikon dy herë portën e Shehit.
8 minuta para fundit, Skënderbeu fiton një 11-metërsh, por goditja e dobët e Salihit devijohet jashtë nga portieri Moçka. Skënderbeu fiton kështu 1-0 dhe ruan largësinë me Partizanin, që ka fituar 2-0 në Ballsh ndaj Bylisit, me nga një gol për secilën pjesë loje. Në takimet e tjera të javës së 25-të, Partizani, Kukësi dhe Vllaznia korrën fitore, ndërsa përballja Tirana-Flamurtari u mbyll me rrjeta të paprekura.