AlbanianSport.com 09.03.2016 16:40
ASNN – Ashtu siç kishin premtuar, grupimi i tifozëve të Tiranës vendosën të mos e mbështesin skuadrën e tyre në sfidën kundër Flamurtarit për javën e 25-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Ashtu siç bëjnë zakonisht në tribuna, me kore dhe pankarta ata protestuan përpara Stadiumit “Selman Stërmasi” për situatën që po kalon ekipi në këtë sezon. Bojkoti i tifozëve ndaj Tiranës vjen pas humbjes së radhës në derbin kundër Partizanit.
Ndërsa për këtë formë të skuadrës ata fajësojnë menaxhimin e keq që sipas tyre po i bëhet skuadrës nga drejtuesit e klubit dhe Bashkia e kryeqytetit që gjithashtu është aksionere.
Ndërkohë, që pas humbjes në derbi situata e keqe që po kalon Tirana është bërë temë edhe e debatit politik.