Gjergj Vyshka 08.03.2016 16:10
Pas vendimit të marrë nga Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Alpinizmit për t’u ngjitur në Valbonë në Malin e Kollatës, një majë që kishte më shumë se 35 vjet që nuk ishte tentuar të ngjitej nga askush, presidenti Jani Ziso, së bashku me Murat Secin dhe Fisnik Muçën, ka studiuar gjithçka me saktësi dhe imtësi për të gjetur shtigjet e duhura.
Sepse e njihnin vështirësinë e ngjitjes në këtë majë. Madje kanë kërkuar dhe forcën e Marlen Malajt, ndërsa fusha e Gjesë ishte vendi pritës i alpinistëve. Dhe të premten në mëngjes, në ora 05:00, kanë nisur ngjitjen, ndërsa rreth orës 13:30 është marrë njoftimit se grupi i parë ka mbërritur në majë dhe ka filluar zbritjen. Dhe në rënien e muzgut janë dukur të parët që erdhën, kurse në ora 19:00 ka mbërritur presidenti Jani Ziso, i cili përtej moshës, kishte dhe gëzimin e ngjitjes në këtë majë.
Kurse më pas do të zbriste dhe grupi i Elbasanit me në krye Artur Gunin dhe rreth orës 20:30 dhe 21:00 kanë ardhur heronjtë e kësaj ngjitjeje, Fisnik Muça, Marlen Malaj dhe Ervin Dervishaj. Ky ishte gëzimi më i madh, ndërsa është festuar dhe me drejtues të shoqatave, të cilët prisnin në bazën e poshtme si Vullnet Zylyftari, Aleksandër Bojaxhi, Fluturim Guni, Servet Alikaj dhe Aleksandër Tafili.
Maja e Kollatës është 2554 metra, kurse veprimtaria e radhës e alpinizmit do të jetë ngjitja verore në Pukë, teksa bëhet fjalë për ngjitjen shkëmbore.