Gjergj Vyshka 24.10.2014 07:05
Dinamovitët detyrohen ta bëjnë seancën e fundit përgatitore të ndeshjes me Lushnjën në ora 09:00. “Edhe këtë kishte mangët Dinamo…!”. Kështu e ka nisur bisedën e tij për Gazeta e Sportit, administratori i bluve, Ismet Saliaj, që ka qenë më shumë se sa i revoltuar me atë që po ndodh me ekipin në prag të ndeshjes me Lushnjën, e cila do të luhet të shtunën në “Selman Stërmasi”. Sipas Saliajt, trajneri Mehmeti ka marrë urdhër nga drejtuesit e Agjencisë së Shërbimit të Sporteve që stërvitjen e së premtes, e cila është e fundit në prag të sfidës me Lushnjën, ta bëjë në ora 09:00.
Dhe për këtë orar janë lajmëruar të gjithë lojtarët, por dhe pjesa tjetër e stafit blu, e pse jo dhe tifozët. Në fakt Dinamo nga pesë seanca që duhet të bëjë në fushën me bar artificial të ish-kompleksit të saj kryen vetëm tre. Sepse të hënën e të martën në orarin e stërvitjes që bëjnë blutë është aktiviteti i shkollave të kryeqytetit në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit për Kupën “Coca-Cola”. Vetëm të mërkurën e të enjten kjo skuadër ka zbritur në fushën e stërvitjes në ora 11:00. Kurse sot duhet të dalë në ora 09:00, sepse në 11:00 do të bëjë stërvitje skuadra e Sopotit.
Kjo e fundit tashmë ka zgjedhur kryeqytetin për t’u stërvitur në mungesë të kushteve ideale në stadiumin e Librazhdit. Ajo që duhet nënvizuar është fakti se janë dy skuadra pretendente në grupin e Jugut dhe nuk është mirë as të përplasen për një orar stërvitor në një fushë, por as të bëjnë në të njëjtin ambient. Sepse edhe për shkak të të qenit në të njëjtin grup, apo dhe strategjive që ndërtojnë trajnerët, askush nga palët nuk do të kërkonte të bënte spiunllëkun për njëri-tjetrin. Apo dhe më keq më pas të zbulohej për çka po ndërton në lojën e saj.
Dinamo e quan veten të persekutuar me këtë zgjidhje të ofruar për të bërë stërvitje në pikë të mëngjesit, sepse në mesditë do të vijë Sopoti, që bën përditë rrugën vajtje-ardhje Librazhd-Tiranë-Librazhd për t’u përgatitur në kushte komode. Ndaj dhe blutë kanë vendosur të mos e zbatojnë atë urdhër, ndërsa duhet pritur se çfarë do të ndodhë sot në mesditë kur të dy skuadrat, Dinamo dhe Sopoti, të jenë në fushë për një seancë stërvitore.