Nga Gjergj Vyshka 07.03.2016 14:25
Sot bëhet një vit nga firmosja e marrëveshjes mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari. Bëhej fjalë për shkollat e basketbollit, ndërsa Ponari ka qenë i shoqëruar, në atë takim edhe me kryeministrin Rama, me figura të basketbollit shqiptar të tilla si Vaso Shaka, Kostandin Shkurti, Gazmend Çaçi, Klodeta Dibra, Mirza Alibegaj, Karolina Kostallari, etj. Asokohe, teksa shpërndante karafila për mësuesit veteranë, kryeministri Rama do të deklaronte edhe si ish-basketbollist: “Jemi gati të promovojmë dhe një iniciativë tjetër, të një grupi kampionësh të sportit”.
“Janë njerëz që arritën të bënin sukses e të ngrinin peshë zemrat e këtij populli, – pati vijuar ai. – Në një kohë kur numri i palestrave ishte i vogël dhe kushtet për të luajtur basketboll ishin shumë më të këqija. Nuk them se kushtet e sotme janë më të mira, por atëherë është bërë sport në kushte shumë më të vështira. Por ky grup njerëzish, lidhen me njëri-tjetrin nga historia e suksesi. Dhe secili nga këta kampionë kam marrë përsipër të marrin në patronazh palestrat dhe t’iu vihen në dispozicion të prindërve dhe fëmijëve që të mësojnë basketbollin. Të konsumohen orët e lira në një aktivitet që është përtej rezultatit të ndeshjes.”
“Kjo është rëndësia e të qenit pjesë e një skuadre, – pati theksuar Rama. – Dhe përmes qytetarit është dhe marrja me politikë. E kjo ka ardhur kur njerëzit nuk zgjidhnin dot problemet të sigurisë, apo të problemeve të tyre e nga shoqëria ku njeriu ha njeriun erdhëm sot te demokracia. Besoj se mentorët e sportit do të jetë një projekt për zhvillimin e basketbollit”. Ky ka qenë promovimi i një marrëveshje që edhe sot nuk është vënë në jetë, ndonëse është përshëndetur nga ministrja Nikolla, por dhe presidenti Ponari. Gjithçka ishte nën moton “Shkollat si qendra komunitare”. Por çfarë ndodh?
Ndoshta është e paragjykuar keq, por nëse kjo marrëveshje është lënë të zbatohet pas përfundimit të Asamblesë Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Basketbollit më 30 mars në pritje të një drejtimi tjetër në krye të këtij institucioni, atëherë nuk është e mirë. Sepse politika po mban varur një marrëveshje që do t’i shërbente të gjithëve, sidomos fëmijëve, në emër të asaj se duhet të vijë tjetërkush. Në fakt në sportin shqiptar, të paktën në këto 25 vjet demokraci, politika gjithnjë ka vendosur njerëzit e vet nëpër Federata. Dhe për rrjedhojë as drejtuesit aktualë të Federatës Shqiptare të Basketbollit s’i kanë shpëtuar kësaj, sepse kanë ardhur kur Berisha ishte në lulëzimin e qeverisjes.
Mirëpo thirrja është se tashmë ka ardhur koha që këta të sotmit të mos mbajnë marrëveshjet varur. Të mos imponojnë njerëz për të ardhur në krye të Federatave e të mos bien në “batakun” që institucionet e sportit i konsideronte si celula partie. Basketbolli është një, por seria e gjatë e Federatave që sivjet do të hyjnë në zgjedhje është e gjatë. Ndaj dhe duhet lënë komuniteti i sportit ta nxjerrin vetë atë figurë që duhet. Ndryshe jo sot, por as nesër, shkollat e basketbollit kanë për të mbetur në letra që do të zverdhen nga koha, sepse politika gjithnjë do të jetë në kërkim të njeriut të saj të pushtetshëm të krye të Federatave sportive.
Sikurse po ndodh dhe sot një vit pas firmosjes së marrëveshjes Nikolla-Ponari.