AlbanianSport.com 07.03.2016 13:20
ASNN – Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi, ka marrë një tjetër vlerësim, pasi sot strategut të kualifikimit të kuqezinjve për në Evropianin “Francë 2016”, i është dorëzuar çmimi “Pankina e Artë Speciale”.
Ky çmim është i veçantë sepse ai jepet nga Shoqata e Trajnerëve Italianë të Futbollit dhe ceremonia zhvillohet në qendrën e njohur italiane dhe ndërkombëtare të Koverçianos.
Ky çmim i është akorduar De Biazit për suksesin e arritur me Kombëtaren kuqezi, të cilën e udhëhoqi drejt kualifikimit, për të parën herë, për në fazën finale të një veprimtarie madhore, siç është Evropiani i verës.
Përveç kësaj, ky vlerësim i është dhënë trajnerit kuqezi si përfaqësues i shkollës italiane të trajnerëve të futbollit. Duhet theksuar se këtë çmim prestigjioz që i është dhënë De Biazit, e kanë marrë përpara figura të shquara të futbollit italian dhe atij botëror, të tillë si Marçelo Lipi, Xhovani Trapatoni apo Fabio Kapelo.