AlbanianSport.com 06.03.2016 15:25
ASNN – Kuqezinjtë janë mundur 2-6 nga Kosova, ndërsa Ramadan Alaj është shpallur lojtari më i mirë i turneut, teksa ka shënuar katër gola. Ka përfunduar turneu që është mbajtur në futbollin e sallës për nder të komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij heroike. Ndeshja finale u zhvillua të shtunën ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe të Shqipërisë.
Përfaqësuesja e Kosovës në futbollin e sallës ka shënuar fitore të thellë duke mposhtur Shqipërinë me rezultatin 6-2 në finalen e turneut “Adem Jashari”. Takimi, që u zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, u dominua nga djelmoshat e përzgjedhësit Ramadan Cimili. Lojtari më i dalluar ishte Ramadan Alaj, që shënoi 4 gola në këtë takim.
Alaj u zgjodh edhe lojtari më i mirë i këtij turneu. Dobroshi dhe Brovina realizuan nga një gol, kurse Karaj dhe Bregu shënuan për Shqipërinë. Pas pjesës së parë rezultati ishte 4-1 për Kosovën, ndërsa në pjesën e dytë u shënuan edhe dy gola të tjerë nga Kosova. Ndeshjen e ndoqën rreth 700-800 shikues. Kosova në gjysmëfinale kishte mposhtur Turqinë, pas penalltive, kurse Shqipëria e Erind Resulit, Kosovën B.