Gjergj Vyshka 05.03.2016 21:45
Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, në një intervistë për mediat gjatë zhvillimit të Kupës së Shqipërisë ka shpjeguar se kjo veprimtari ka qenë edhe zyrtarizim i kombëtares, e cila do të marrë pjesë në Oslo. “Më duhet të them se tek femra, Evangjeli Veli është një talent i vërtetë, – ka thënë ai. – Ajo sot me dy rekorde e saj tregon se është e bindur për të qenë në zonën e medaljeve në këtë Evropian.”
“Presim dhe patëm gara interesante nga Avdiraj, Calja, Shorja, Qerimaj, Karina, Elmazi, – ka vijuar ai. – Por më duhet të them se kombëtarja nën drejtimin e trajnerëve Toska dhe Suli janë duke u përgatitur mirë në Shtërmen, ndërsa ende nuk është ulur ngarkesa. Ne sot do të mbledhim kryesinë, atje ku do të caktojmë zyrtarisht kombëtaren, e cila do të jetë e përbërë nga tetë djem dhe dy vajza.”
“Do të shkojmë me ekip të plotë për të qenë në zonën e medaljes dhe unë jam i bindur për këtë”, – ka këmbëngulur Gjoza, i cili më pas është ndalur tek rastet e dopingut. “Ajo që ndodhi më 2014-ën në Kazakistan ishte një goditje e rëndë për peshëngritjen, – ka pohuar ai. – E parë kështu me kërkesën tonë, por dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, kemi bërë dy teste të antidopingut.”
“Në garën e kontrollit katër të përzgjedhur nga ana jonë, kurse tre ditë më parë i gjithë ekipi kombëtar. Kemi bërë dhe seminare sensibilizimi. Dhe mendoj se këtë herë në Oslo do të kemi ekip të pastër, të aftë për medalje dhe që do të kualifikohet me normë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, – ka përfunduar kreu i organizmit që qeveris peshëngritjen shqiptare.
Kupa e Shqipërisë në Peshëngritje
Rezultatet teknike:
Femra Shkëp Shtyt Dygarësh
Pesha 48 kg Ana Jovani (Skënderbeu) 55 kg 65 kg 120 kg
Pesha 53 kg Evangjeli Veli (Partizani) 86 kg 105 kg 191 kg
Pesha 58 kg Besjana Koni (Tirana) 40 kg 49 kg 89 kg
Pesha 75 kg Manjola Karaj (Partizani) 55 kg 65 kg 120 kg
Pesha +75 kg Besarda Kollozi (Tirana) 62 kg 70 kg 132 kg
Si ekip: Tirana 272 pikë
Sportistja më e mirë: Evangjeli Veli (Partizani) 288.1 pikë
Meshkuj
Pesha 56 kg Roald Kuqja (Shtërmeni) 72 kg 90 kg 162 kg
Pesha 62 kg Romario Avdiraj (Tirana) 110 kg 135 kg 245 kg
Pesha 69 kg Edison Nelaj (Tirana) 120 kg 147 kg 267 kg
Pesha 77 kg Briken Calja (Shtërmeni) 147 kg 185 kg 332 kg
Pesha 85 kg Erkand Qerimaj (Vllaznia) 157 kg 195 kg 352 kg
Pesha 94 kg Endri Karina (Elbasani) 162 kg 190 kg 352 kg
Pesha 105 kg Aleks Kaçani (Skënderbeu) 135 kg 165 kg 300 kg
Pesha +105 kg Edison Elmazi (Flamurtari) 151 kg 175 kg 326 kg
Si ekip: Tirana 532 pikë
Sportisti më i mirë: Erkand Qerimaj (Vllaznia) 434.01 pikë