AlbanianSport.com 05.03.2016 09:15
ASNN – Peshëngritja shqiptare ka zhvilluar të shtunën, nga mesdita deri në mbrëmje, veprimtarinë e saj të dytë, Kupën e Shqipërisë, duke kurorëzuar Tiranën si fituese e dyfishtë, si për meshkuj, ashtu edhe për femra. Ndërkohë, Evangjeli Veli për femra dhe Erkand Qerimaj për meshkuj janë shpallur sportistët më të mirë të Kupës së Shqipërisë.
Tirana është shpallur fituese e dyfishtë e Kupës së Shqipërisë në peshëngritje, si për të rritur, ashtu dhe për të rritura, që është zhvilluar të shtunën në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, duke nisur nga mesdita e deri në mbrëmje. Ka qenë në fakt një garë pozitive dhe bindëse e elementëve përbërës të ekipit kombëtar të shtangës, që premton medalje në Kampionatin Evropian të Të Rriturve, i cili do të zhvillohet nga data 10, deri më 16 prill në Oslo të Norvegjisë.
Në garë kanë qenë Gjithsej 14 ekipe, 11 të meshkujve dhe tre femrave. Për femra, ka spikatur Evangjeli Veli, e cila, jo vetëm është shpallur sportistja më e mirë e kësaj veprimtarie, por ka thyer dy rekorde kombëtare, në stilin e shkëputjes të peshës 53 kg, që ishin në fakt në fuqi prej dhjetë vjetësh.
Ndërsa për meshkuj, ka fitues në peshat përkatëse u shpallën Roald Kuqja, Romario Avdiraj, Edison Nelaj dhe Briken Calja, ka spikatur dueli i pesha deri në 85 kg, midis Krenar Shorajt dhe Erkand Qerimajt. Në përfundim ka triumfuar ky i fundit, i cili dje ka qenë edhe sportisti më i mirë i Kupës së Shqipërisë.