AlbanianSport.com 03.03.2016 14:20
ASNN – Eleni Lulo, një volejbolliste e datëlindjes 2001, ka kontribuuar me lojën e saj të bukur në fitoren e Dinamos të shtunën e kaluar ndaj Studentit, 3-1. Me një shërbim të përsosur, atje ku i ka dhënë skuadrës gjashtë pikë, arriti të përmbyste rezultatin në setin e parë nga 14-17 për Studentin në 21-17 për Dinamon. Dhe tashmë kjo lojtare ka gjetur veten në skuadrën blu, që drejtohet nga trajneri Genci Nexhipi.
Ecuria e saj dhe talenti që ka duket se po përmbushin dhe pritshmëritë e trajnerin Nexhipi. Dhe vetë Lulo për “Sport Ekspres” do të deklaronte: “Ndihem mirë në këtë ekip. Marrëdhëniet si me lojtaret, ashtu dhe stafin drejtues i kam të mira. Kam ende për të dhënë për ekipin tim dhe duhet shumë punë për të arritur objektivat që kam”. Në fakt Eleni është nxënëse e klasës së nëntë dhe e shkëlqyer në mësime.
Dhe pyetja që shtrohet është se si ka mundësi të mbajë dhe sportin dhe mësimet. “Gjimnazi nuk është i lehtë, – ka pohuar ajo. – Dhe koha ime është e kufizuar, sepse stërvitem rregullisht, pa harruar mësimet dhe kursin e anglishtes. Falënderoj të gjithë ata që më mbështesin, në mënyrë të veçantë trajnerin e Dinamos, Genci Nexhipin, për përkushtimin”.
Ndeshja e radhës e Dinamos është të shtunën në ora 12:00 ndaj Vlora Volejit në “Asllan Rusi” dhe Lulo premton se do të japi jo vetëm në këtë takim, por në të gjitha më të mirën e mundshme.