AlbanianSport.com 03.03.2016 13:25
ASNN – Laçi vijon përgatitjet intensive për ndeshjen e radhës me Skënderbeun, sfidë kjo mjaft e vështirë për bardhezinjtë, që do të duhet të “sfidojnë” sërish mungesat. Ato edhe këtë herë janë prezente në masë. Në sfidën me Vllazninë munguan dyshja Zefi-Gocaj, të dëmtuar, ndërsa i pezulluar ishte kapiteni Emiljano Veliaj, pasi kishte marrë kartonin e tretë të verdhë me Bylisin në shtëpi.
Kapiteni është rikthyer për sfidën me korçarët, por, për arsye kartonësh, tashmë do të duhet të mungojnë plot tre lojtarë. I pari, që e siguroi mungesën për sfidën me Skënderbeun, ishte lojtari i krahut së majtë Taulant Sefgjini, i cili u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 60-të. Dhe kështu ka plotësuar numrin 3 të kartonëve të verdhë sepse më parë ishte ndëshkuar në Korçë dhe ndaj Teutës në Laç.
Por nuk do të mjaftonte me kaq pasi, pas mbarimit të kohës së rregullt, kurbinasit humbasin edhe mbrojtësin Emiljano Çela, që në minutën e 92-të ndëshkohet edhe ai me karton të verdhë. Mungesa e këtyre dy lojtarëve është një problem për kurbinasit e trajneri Nica po mendon për një tjetër lojtar në krahun e majtë të mbrojtjes. Gjatë këtyre ditëve, trajneri durrsak ka vëzhguar disa lojtarë në atë pozicion.
Dhe deri para ndeshjes të shtunën do të ketë vendosur për alternativën më të mirë. Veç Sefgjinit e Çelës, mungesë për shkak pezullimi është edhe ajo e mesfushorit Valdano Nimani. Shkodrani, pas përplasjes me mbrojtësin Erdenis Gurishta, u ndëshkua me karton të kuq, edhe pse ndërhyrja e tij ishte e pavullnetshme. Nisur nga pezullimet, trajneri Nica tashmë do të hedhë në fushë një formacion ndryshe nga përballja me Vllazninë, pasi 3 prej lojtarëve që e nisën nga fillimi atë ndeshje do të mungojnë.