Gjergj Vyshka 03.03.2016 10:40
Egzon Shala do të jetë përfaqësuesi i vetëm i mundjes shqiptare në Kampionatit Evropian të të rriturve, që në këtë fundjavë do të zhvillohet në Riga të Letonisë. Shala do të konkurrojë në peshën 97 kg të mundjes së lirë, ndërsa pretendimet, edhe për shkak të formës së mirë sportive që gëzon, është marrja e medaljeve.
Egzon Shala do të jetë i shoqëruar nga babai dhe trajneri i tij, Sulejmani, që do të jetë njëkohësisht dhe tekniku i Kosovës (Edon Shala do të jetë njëri prej përfaqësuesve të mundjes kosovare në Letoni), si dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba.
Madje ky i fundit do të marrë edhe në Kongresin e Federatës Evropiane, që më 6-7 mars do të zhvillohet në Riga, atje ku do të ketë zgjedhje për disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Nuk duhet harruar që Egzon Shala është medalist i bronztë në Lojërat Mesdhetare të Mersinit më 2013, sikurse është dhe në vendin e 7-të në Kampionatin Botëror më 2014.
Janë të gjitha rezultate që, së bashku me arritjet në disa turne të tjerë, të bindin që Egzon Shala si i vetmi përfaqësues i mundjes shqiptare në Evropianin e Rigës do të jetë aq i suksesshëm sa kërkojnë drejtuesit e Federatës. Pra të kthehet me medalje nga Evropiani i këtij viti.