Gjergj Vyshka 03.03.2016 11:25
Kjo është pyetja që shtrohet sot në komunitetin e basketbollit shqiptar, sepse të gjithë janë shokuar nga vendimi për të bërë kaq shpejt këtë asamble zgjedhore, e cila më së shumti duket se është dhe si një votëbesim nga komuniteti për Avni Ponarin. Realisht Ponari më tepër ka dhënë se sa ka marrë nga basketbolli shqiptar. Sepse përtej dëshirës për ndërtimin e një pallati sporti dhe të një kompleksi ku do të ishin dhe zyrat e Federatës Shqiptare të Basketbollit, asnjëherë nuk arriti të merrte atë që donte.
Sikurse asnjëherë nuk iu dha Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, që ndoshta do të ishte kthyer në një ngrehinë moderne për basketbollin shqiptar dhe të gjithë sportet e tjera sipas modelit dhe idesë së tij. Dhe më së shumti gjithnjë fjalë e asnjëherë “puna e mbarë”, pavarësisht që rezultatet e pjesëmarrjes në arenën ndërkombëtare nuk kanë qenë të pritshmet.
Madje dhe shkollat e basketbollit, të premtuara me aq bujë nga marrëveshja me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në 7 marsin e vitit të kaluar, nuk kanë ardhur sipas idesë dhe dëshirës së Ponarit. Një asamble zgjedhore e 30 marsit është një matje pulsi për të gjithë komunitetin e basketbollit shqiptar, nëse duan apo jo të vazhdojnë me Ponarin president, që nga një Federatë me borxhe, veçanërisht ndaj gjyqtarëve, ta kthejë në një gjendje financiare zero me zero.