AlbanianSport.com 02.03.2016 09:45
ASNN – UEFA ka pezulluar për një vit nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare skuadrën turke të Gallatasarajit. Lajmi bëhet i ditur nga mediat lokale, sipas të cilave, shkak për këtë vendim është bërë shkelja e rregullores për “Fair Play”-in financiar, që i detyron të gjitha klubet e futbollit të mos shpenzojnë më shumë nga sa arkëtojnë gjatë një sezoni.
Gallatasaraji nuk e ka zbatuar këtë rregullore, duke shpenzuar shumë në merkaton e viteve të fundit për të afruar lojtarë të njohur të futbollit evropian. Por kjo gjë duket se do t’i kushtojë shtrenjtë një prej klubeve më të mëdhenj të futbollit turk nëse konfirmohet përjashtimi për një vit nga të gjitha turnetë ndërkombëtarë. Kështu, ekipi fitues i Kupës UEFA në vitin 2000, është përjashtuar nga veprimtaritë kontinentale për një 1 vit.
Vendimi erdhi pasi klubi i njohur turk nuk respektoi rregullat e “fair play”-in financiar. Drejtuesit e Gallatasarajit janë të shtrënguar të ulin shpenzimet për këtë vit dhe atë pasardhës. Një masë shtrënguese e rëndë për një ekip që është mësuar të marrë pjesë rregullisht në Kupat e Evropës dhe ka në përbërje lojtarë të njohur.
Gallatasaraji ndodhet momentalisht në vendin e 5-të, por nuk do të ketë mundësinë të kualifikohet në Kupat e Evropës. Kjo masë ndëshkuese vlen për 1 pjesëmarrje. Kjo do të jetë në favor të ekipeve të tjera, veçanërisht Konjasporit dhe Bashaksehirit, ku aktivizohen lojtarët e Kombëtares, Alban Meha dhe Sokol Cikalleshi.