Gjergj Vyshka 02.03.2016 08:50
Gentian Cici, ndërkombëtari i basketbollit shqiptar në fushën e gjykimit, pas një mungese prej tre javësh, është rikthyer në EuroCup për meshkuj. Pikërisht mbrëmë, ai ka qenë në ndeshjen Gallatasaraj-Pënar Karshiaka Izmir, e vlefshme për turin e 16-shes së këtij trofeu.
Ndeshja është luajtur në Pallatin e Sportit “Abdi Ipekçi Arena” dhe Cici ka qenë gjyqtar i tretë, ndërsa i parë ishte spanjolli Daniel Hierrezuelo dhe i dytë portugezi Serxhio Silva. Në prani të 9,047 shikuesve, Gallatasaraji e ka fituar takimin me shifrat 93-65 (20-20, 23-12, 27-19, 23-14).
Në fakt, në këtë edicion kjo është hera e katërt që Cici gjendet në Turqi, sepse më parë ka gjykuar në Trabzon, më pas në Izmir dhe në Banvit e tashmë në Stamboll. Pa harruar që bilbili i tij është ndjerë në Las Palma e Saragoza të Spanjës, apo në Rexhio Emilja e Sasari në Itali, Limozhë të Francës, Podgoricë të Malit të Zi, Bukuresht në Rumani, dy herë në Ljubjanë të Sllovenisë dhe në Tsigoleti të Hungarisë.
Por në këtë edicion janë dhe dy ndeshje në Ligën Ballkanike, si dhe katër ndeshje në finalet e Kampionatit Evropian. Që do të thotë se Gentian Cici mbetet në qendër të vëmendjes së ndërkombëtare, 15 ndeshje në 18 javë të EuroCup për meshkuj s’janë pak.