Gjergj Vyshka 28.02.2016 21:55
Partizani-Elbasani është vënë në dyshim për të mos u luajtur, sepse në ora 13:55 në parketin e sallës kryesore është paraqitur vetëm gjyqtari kryesor, Çaush Kojku. Nuk ishte as sekretarja, as pikëshënuesi, as gjyqtari i dytë dhe as vëzhguesi.
Madje ishin dhe forcat e rendit e dukej sikur ishte një ndeshje që do ta gjykonin trajnerët. Por, për fat, ndeshja Studenti-Dinamo, që po luhej në sallën Nr. 2 dhe përfundoi në kufijtë e orës 14:00, ka shërbyer si mbarëvajtje dhe për Partizani-Elbasani.
Petro Fështi ka bërë rolin e pikëshënuesit, Klement Agolli i është bashkangjitur trupës gjykuese të ndeshjes, ndërsa ka mbërritur dhe sekretarja, e cila edhe në ndeshjen Studenti-Dinamo është lajmëruar me telefon që të vijë sepse duhet të bënte pikëshënuesit.
Një “çorbë” që rrezikoi gati dy ndeshje të volejbollit të femrave.