AlbanianSport.com 28.02.2016 19:55
ASNN – Dy 11-metërsha kanë vendosur fatin e takimit Bylis-Skënderbeu, që ka mbyllur javën e 23-të të Kategorisë Superiore. Një ndeshje tepër e vështirë kjo për skuadrën e trajnerit Mirel Josa që e shikon veten në disavantazh që në minutën e 22-të të takimit. Jashanica shkakton 11-metërsh dhe për gjyqtari e ndëshkon futbollisti e Skënderbeut me karton të kuq.
Nga pika e bardhë gjuan Izuçuku. Portieri Shehi e grushton goditjen e nigerianit, por topin e rikthyer e godet sërish futbollisti i Ballshit që shënon. Në fund të pjesës së parë Pepa ka humbur rastin më të mirë për të dyfishuar shifrat. I vetëm para Shehit gjuan mjaft dobët ndërsa shoku i skuadrës, Izuçuku ishte i vetëm në anën tjetër të zonës dhe në pozicion më të favorshëm për të shënuar.
Pjesa e parë mbyllet me fitoren e Bylisit. Në të dytën korçarët bëjnë të gjitha përpjekjet për të barazuar rezultatin. Në minutën e 73-të, Osmani humbet një rast të pastër për të barazuar rezultatin. Pas një pasimi të saktë të dhënë nga Salihi, Osmani gjuan në mënyrë të gabuar mbi traversë. Duhej të vinte minuta e 81-të, kur gjyqtari jep një 11-metërsh për Skënderbeun.
Frashëri pengon Xhejms Adenijin dhe karton i verdhë për portierin e 11-metërsh për korçarët. Nga pika e bardhë shënon Salihi dhe barazim 1-1. Edhe pas këtij barazimi Skënderbeu vazhdon të ruajë vendin e parë në renditjen e Kategorisë Superiore. Skënderbeu kryeson me 53 pikë, 4 më tepër sesa Partizani i vendit të dytë, ndërsa Tirana mban vendin e 3-të me 39 pikë, e ndjekur nga Teuta me 38 dhe Kukësi me 35 pikë.