AlbanianSport.com 28.02.2016 17:15
ASNN – Skënderbeu ruan kryesimin e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit edhe pas javës së 23-të. Korçarët kanë marrë një pikë në Ballsh, në një ndeshje tepër të vështirë për skuadrën e trajnerit Josa. Rezultati 1-1 në Ballsh është fiksuar pas realizimit të dy 11-metërshave nga secila skuadër. Edhe pas këtij barazimi Skënderbeu vazhdon të ruajë vendin e parë në renditjen e kategorisë superiore.
4 takimet e para të javës së 23-të të Kategorisë Superiore janë luajtur të shtunën dhe Kukësi ka mposhtur Flamurtarin 4-0, ndërsa në 3 ndeshjet e tjera, Vllaznia-Laçi, Tërbuni-Partizani dhe Tirana-Teuta, nuk u shënuan gola. Në takimin Vllaznia-Laçi, futbollisti i shkodranëve, Gurishta, është përplasur me shkodranin e laçjanëve, Nimani, duke patur nevojë për ndihmën mjekësore.
Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të shtunën 4 prej takimeve të javës së saj të 23-të, ndërsa takimi i 5-të është luajtur të dielën. Tri nga 4 sfidat e së shtunës, që nisën në të njëjtën orën, 13:30, e përkatësisht Vllaznia-Laçi, në Shkodër, Tërbuni-Partizani në Pukë dhe Tirana-Teuta në kryeqytet, u mbyllën me rrjeta të paprekura.
Në Kukës, skuadra vendase ka fituar thellë, 4-0, ndaj Flamurtarit, në takimin e vetëm ku pati gola. Takimi i fundit i javës së 23-të, është ai i së dielës, midis Bylisit dhe Skënderbeut. Kjo ndeshje, që do të luhet në Stadiumin “Adush Muça” në Ballsh, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:00.
Skënderbeu kryeson renditjen me 53 pikë, 4 më tepër sesa Partizani i vendit të dytë, ndërsa Tirana mban vendin e 3-të me 39 pikë, e ndjekur nga Teuta me 38 dhe Kukësi me 35 pikë.