AlbanianSport.com 27.02.2016 16:10
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të shtunën 4 prej takimeve të javës së saj të 23-të, ndërsa takimi i 5-të luhet të dielën. Tri nga 4 sfidat e së shtunës, që nisën në të njëjtën orën, 13:30, u mbyllën me rrjeta të paprekura. Në Shkodër, Vllaznia është ndeshur me Laçin, në sfidën që u mbyll 0-0.
Në Kukës, skuadra vendase ka fituar thellë, 4-0, ndaj Flamurtarit, ndërsa Partizani i vendit të dytë ka qenë mysafir në Pukë, ku është ndalur në një barazim pa gola nga Tërbuni i vendit të fundit. Takimi më i spikatur i ditës së shtunë ishte ai që u luajt në kryeqytet, midis Tiranës së vendit të 3-të dhe Teutës së vendit të 4-t, që u mbyll me rezultatin 0-0.
Takimi i fundit i javës së 23-të, është ai i së dielës, midis Bylisit dhe Skënderbeut. Kjo ndeshje, që do të luhet në Ballsh, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:00. Skënderbeu kryeson renditjen me 52 pikë, 3 më tepër sesa Partizani i vendit të dytë, ndërsa Tirana mban vendin e 3-të me 39 pikë, e ndjekur nga Teuta me 38 dhe Kukësi me 35 pikë.