Gjergj Vyshka 27.02.2016 15:15
Në Gjor të Hungarisë është duke u zhvilluar Kampionati Evropian i Qitjes me Pistoletë dhe Pushkë ajër, atje ku marrin pjesë dhe katër sportistë shqiptarë, por me shpenzimet e tyre. Por përfundimi nuk ka qenë i suksesshëm, ndërsa ky ishte shansi i fundit për t’u kualifikuar me normë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Sipas informacionit që ka dhënë për “Sport Ekspres” presidenti i Federatës Shqiptare të Qitjes, Stefan Rufa, por dhe sipas të dhënave në Federatën Evropian të Qitjes deri më tani më i miri është paraqitur Arben Kuçana, i cili në qitje me pistoletë ajër ka zënë vendin e 26-të mes 84 garuesve teksa ka grumbulluar 573 pikë.
Në gjashtë goditje ai ka marrë 96, 95, 96, 94, 95 dhe 97. Po në të njëjtën disiplinë, qitje me pistoletë ajër, Arben Cerina ka zënë vendin e 75-të mes 84 garuesve me 557 pikë (91, 91, 94, 92, 96, 93). Dhe në fund edhe Vasil Sota, i cili po në qitje me pistoletë ka zënë vendin e 82-të mes 84 pjesëmarrësve me 547 pikë (93, 87, 92, 91, 93, 91).
Por, ndërkohë, e njëjta gjë ka qenë edhe në qitjen me pushkë ajër, atje ku Lumturi Pepa ka zënë vendin e 94-tërt mes 96 pjesëmarrësve duke grumbulluar 391.6 pikë (97.9, 95.4, 100.3, 98). Sot konkurron Manjola Komini në qitje me pistoletë ajër, por, sidoqoftë, Evropiani i Gjorit në Hungari mund të cilësohet i dobët për tanët.