Gjergj Vyshka 27.02.2016 11:35
Luiza Gega ka rezultuar e suksesshme në daljen e saj të parë ndërkombëtare pas nëntë javë përgatitjesh në Iten të Kenias. Bursistja olimpike, por njëkohësisht dhe sportistja e parë e kualifikuar me normë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, ka dalë e para në garën e 800 metrave në Kupën Dimërore Ndërkombëtare të Sallave të Mbyllura në Stamboll, që u mbajt një ditë përpara Kampionatit Ballkanik të Sallave të Mbyllura sot në Stamboll.
Një garë që ka pasur pjesëmarrje ndërkombëtare, ndërsa mes dhjetë pjesëmarrësve ka dhënë kohën 2’04”29. Tashmë pritet që të rikonfirmohet si Kampione e Ballkanit në sallat e mbyllura për 1,500 metra, që zhvillohet sot në Stamboll, ndërsa Shqipëria, për meshkuj dhe për femra, do të marrë pjesë me 15 sportistë. Nuk duhet harruar që Gega do të jetë pjesëmarrëse edhe në Kampionatin Botëror të Sallave të Mbyllura në Portlend të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga data 17, deri më 20 mars.
Përtej kësaj, pjesa tjetër e delegacionit shqiptar në këtë veprimtari ka zhgënjyer. Kështu ka ndodhur me Eraldo Qeramën, një tjetër atlet i stërvitur nga Taulant Stërmasi në Iten të Kenias, teksa në 400 metra me kohën 49”90 ka zënë vendin e 15-të mes 23 pjesëmarrësve. Sakaq Izmir Smajlaj, me 7.31 metra në kërcim së gjati në Stamboll është një centimetër më poshtë se rezultati që ka dhënë në kampionatin dimëror në Stadiumin “Elbasan Arena”, kur pati dalë i pari me 7.32 metra.
Në 6 kërcimet e tij ai ka pasur 3 faulla, ndërsa ka kërcyer 7.31 metra dhe 6.44 metra. Dhe për rrjedhojë ka zënë vendin e 4-t midis 6 pjesëmarrësve. Në të njëjtin nivel ka qenë edhe kampioni i gjyles, shumë larg rezultatit të tij, të regjistruar në ish-kompleksin “Dinamo”. Adriatik Hoxha me 16.56 metra, rezultat të cilin e ka kapur në hedhjen e parafundit (16.12 m, 16.50 m, 16.55 m, 16.56 m dhe faull), është i 6-ti mes 7 pjesëmarrësve.
Pra me përjashtim të Luiza Gegës, që vazhdon të jetë “mbretëresha e artë” e atletikës shqiptarët, të gjithë të tjerët të enjten në Stamboll ka qenë thuajse të parafundit duke lënë nga pas një ose dy atletë. Tashmë pritet një tjetër pjesëmarrja në Kampionatin Ballkanik të Sallave të Mbyllura sot në Stamboll.