AlbanianSport.com 27.02.2016 10:40
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit luan të shtunën 4 prej takimeve të javës së saj të 23-të, ndërsa takimi i 5-të luhet të dielën. Të 4 sfidat e së shtunës nisin në të njëjtën orën, 13:30, dhe në Shkodër, Vllaznia ndeshet me Laçin në një sfidë ku trajneri aktual i shkodranëve, Armando Cungu, përballet me ish-skuadrën e tij.
Në Kukës, skuadra vendase do të presë Flamurtarin, ndërsa Partizani i vendit të dytë është mysafir në Pukë, për t’u ndeshur me Tërbunin e vendit të fundit. Takimi më i spikatur i ditës së shtunë është ai që do të luhet në kryeqytet, midis Tiranës së vendit të 3-të dhe Teutës së vendit të 4-t. Takimi i fundit i javës së 23-të, është ai i së dielës, midis Bylisit dhe Skënderbeut.
Kjo ndeshje, që do të luhet në Ballsh, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:00. Skënderbeu kryeson renditjen e Kategorisë Superiore, me 52 pikë, 4 më tepër sesa Partizani i vendit të dytë, ndërsa Tirana mban vendin e 3-të me 38 pikë, e ndjekur nga Teuta me 37 dhe Kukësi me 32 pikë.