Gjergj Vyshka 27.02.2016 09:45
Alban Beqiri, “i fundit i mohikanëve” për boksierët shqiptarë në “Strandja Tournament”, që është duke u zhvilluar në Sofje të Bullgarisë, nuk ka shkuar dot më larg se çerekfinalet në peshën 69 kg. Pikërisht në këtë tur, ai është mundur nga bullgari Simeon Shamov, thellësisht 0-3, ndërsa raundet, të paktën edhe sipas pikëve të gjyqtarëve të tavolinës, i ka humbur me pikë të ngushta.
27-30, 28-29, 28-29, që do të thotë se është munduar të rivalizojë përballë bullgarit, i cili ka pasur si plus dhe mbështetjen e publikut. Gjithsesi edhe mbërritja në çerekfinalet e peshës 69 kg duhet konsideruar sukses për të, ndërsa që në raundet e para janë eliminuar Klevis Vrapi në peshën 52 kg, Kristian Zeneli në peshën 56 kg, Arjon Kajoshi në peshën 75 kg dhe Syrja Marinaj në peshën 81 kg.
Tashmë për boksin shqiptar duket se vëmendja kryesore do të jetë në “Memorial Vllaznia”, që më 14 mars 2016 do të zhvillohet në Shkodër. Një veprimtari, e cili ka vite që tashmë është në kalendarët e Federatës Evropiane dhe Botërore. Megjithatë, ajo që duhet theksuar është fakti se pjesëmarrja në “Strandja Tournament” në Sofje është mbyllur pa medalje dhe vetëm me kualifikimin për në çerekfinale të Alban Beqirit në peshën 69 kg.