AlbanianSport.com 27.02.2016 08:50
ASNN – Trajneri i dibranëve: “Sfidë që i pranon të tria rezultatet. E kam përgatitur skuadrën njësoi sikur ndeshja të luhej në Peshkopi. E njoh mirë ekipin e Plorit.” Trajneri Dritan Mehmeti flet me “këmbë në tokë”. Ai është modest dhe pranon tre rezultatet e mundshme në përballjen me rivalin e Korabit, Kastriotin. I deklaruar fillimisht se nuk dëshironte të intervistohej nga mediat dhe se për gjithçka mund të flisnin drejtuesit e Klubit “Korabi”, ai dje është shprehur se takimi Kastrioti-Korabi duhet konsideruar si çdo ndeshje tjetër e këtij kampionati të Kategorisë së Parë.
Mehmeti nuk e mohon se skuadrën e ka përgatitur për një rezultat pozitiv dhe pret që përballja të jetë e bukur, e fortë dhe interesante. “Kjo nuk është ndeshja që vendos fatet e Korabit, – ka deklaruar ai. – Kemi edhe shumë ndeshje të tjera deri në fund të sezonit dhe secila prej tyre është e rëndësishme. Ndeshja do të jetë shumë e fortë dhe skuadra është përgatitur për rezultat pozitiv. Megjithatë kjo përballje i pranon të tria. Nuk dua të futem në detaje.” Duke folur për Kastriotin, Mehmeti mendon se e njeh mirë lojën e skuadrës së Plorit,
Ai shton se Korabi do të luajë sikur ndeshja të zhvillohej në qytetin e Peshkopisë. Një ditë më parë dibranët iu gëzuan lajmit të emetuar nga rrjetet sociale se tifozët e Korabit do të hynin në stadiumin e Kastriotit falas. Por dje mbërriti lajmi tjetër se tifozët vendas do të hynin pa biletë, ndërkohë ato të Korabit do të paguajnë nga 200 lekë për person. Drejtuesit e Korabit nuk shqetësohen për këtë pasi mbështetësit janë vënë në radhë për të financuar ekipin dhe tifozët.
Formacioni i mundshëm i Korabit:
Kotorri, Ramazani, Bishaj, Shazivari , Melani, Gjoka. Mziu, Muçellari, Hoxha, Mezini, Kiri, Guri.