AlbanianSport.com 26.02.2016 07:55
ASNN – Ka nisur Kongresi i Jashtëzakonshëm i FIFA-s dhe presidenti i ri nuk mund të qëndrojë më shumë se 12 vjet. Jo vetëm president i ri, pasi FIFA po përgatitet për një erë të re pas skandalet e njëpasnjëshme të korrupsionit që tronditën nga themelet qeverinë botërore të futbollit. Në Zyrih të Zvicrës nisi të enjtën Kongresi i Jashtëzakonshëm dy ditor që do të kulmojë me votimin për zgjedhjen e pasardhësit të Sep Blaterit.
Por përpara kësaj, 209 shtetet anëtare të FIFA-s pritet të miratojnë disa ndryshime thelbësore në statutin e institucionit më të lartë të futbollit. Më i rëndësishmi ka të bëjë me mandatin e presidentit, që nuk do të jetë më i palimituar. Ndryshe nga Sep Blateri, i cili qëndroi për 17 vjet në krye të FIFA-s dhe paraardhësi i tij, Zhoao Havelanzhë, që e drejtoi atë për 24 vjet me radhë, Presidenti i ri nuk mund të kandidojë pas 3 mandatesh.
Kjo do të thotë se presidentët e ardhshëm të FIFA-s nuk mund ta drejtojnë atë më shumë se 12 vjet. Ndrysime të rëndësishme janë parashikuar edhe sa i përket komisioneve drejtuese.
Kështu pritet të votohet shkrirja e Komitetit Ekzekutiv që përbëhet nga 24 anëtarë dhe krijimi i një Këshilli me 36 anëtarë që do të drejtohet nga sekretari i përgjithshëm që do të zgjidhet nga votimi i federatave anëtare.
Po ashtu, të gjithë anëtarët e këtij këshilli do të kalojnë më parë në sitën e Komisionit të Pajtueshmërisë dhe Kontrrollit.
Këto reforma kërkojnë të bëjnë më transparente FIFA-n dhe të pastrojnë emrin e saj pas skandaleve të mëdha të muajve të fundit.
Ky mision i vështirë do t’i besohet presidentit të ri, ku kandidatët potencialë janë Xhani Infantino dhe Princi i Jordanisë Al Hussein, me italo-zvicerianin të favorizuar për të marrë drejtimin e qeverisë botërore të futbollit.