AlbanianSport.com 25.02.2016 17:05
ASNN – Trajneri i Laçit, Stavri Nica, pret reagimin e të tijve në ndeshjen e radhës me Vllazninë, pas asaj humbjeje të papritur në shtëpi me Bylisin. Laçi vijon përgatitjet për sfidën e radhës me Vllazninë.
Kurbinasit janë stërvitur dje në Kamëz, ku kanë zhvilluar një seancë të karakterizuar nga ushtrime të ndryshme tekniko-taktike dhe në fund ka pasur edhe një lojë brenda grupit. Për sfidën me shkodranët pritet të mungojë sërish mesfushori Alfred Zefi.
Kjo, pasi atij i është rekomanduar të pushojë edhe këtë javë dhe në javën pasardhëse të nisë përgatitjet. E njëjtë mbetet situata me sulmuesin Enco Malindi, i cili vijon të stërvitet i diferencuar dhe ende nuk i është bashkuar grupit.
Mungesa vjen për shkak të një problemi me tendinat, që e mbart që javën e shkuar. Ndërkohë, Mustafa edhe dje është stërvitur normalisht me ekipin dhe gjendja e tij po vjen në përmirësim, ndërsa për aktivizimin do të jetë stafi teknik ai që do të vendosë.