AlbanianSport.com 24.02.2016 12:15
ASNN – Bajerni i Mynihut këmbëngul për Elseid Hysajn dhe janë mediat gjermane që raportojnë interesimin e bavarezëve. Pra, në fund të fundit, Elseid Hysaj edhe mund të shkojë në Bundesligë. Kjo sepse Bajerni i Mynihut është i interesuar për të, dhe vetë mediat gjermane e kanë pohuar këtë.
“Tagescajtung” e Mynihut dhe media të tjera kanë komentuar vizitën në Stadiumin “San Paolo” të njërit prej drejtuesve bavarezë, Mikael Reshke, që ka vëzhguar mbrojtësin shqiptar në duelin Napoli-Milan, që u mbyll në barazim 1-1. Hysaj mund të ishte një zgjidhje shumë e mirë për krahun e djathtë.
Kjo, pasi kapiteni Filip Lahm gjithnjë e më shumë po kalon drejt një roli në qendër të mesfushës. Me moshën 22-vjeçare dhe cilësitë që zotëron, ai do të ishte një alternativë për periudhë të gjatë kohore. Por, mediat gjermane shkruajnë se Hysaj do të ketë konkurrencë me lojtarë të tjerë.
Ai duhet të mposhtë sfidën e futbollistëve, të tillë si Kolemani i Evertonit, Peresi i Torinos, Vrshaljko i Sasuolos apo Karvahal i Realit të Madridit. Sidoqoftë, shkodrani mund ta sigurojë edhe ndryshe Bundesligën, pasi ai është në vëmendjen e klubeve të tjerë si Shalke 04, Augsburgu apo Volfsburgu.