Gjergj Vyshka 24.02.2016 09:00
Shqipëria e basketbollit për femra sot do të luajë ndeshjen e katërt eliminatore të Kampionatit Evropian 2017, ndërsa në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, do të presë Italinë në takimin që nis në ora 18:00. Tri humbjet e thella në tre ndeshje jashtë, 38-121 ndaj Italisë, 39-99 ndaj Malit të Zi dhe së fundmi 36-122 ndaj Britanisë së Madhe duket sikur nuk e bëjnë optimiste situatën.
Aq më tepër që do të luhet përballë skuadrës kryesuese të grupit, e cila ka mbërritur dje pasdite në Tiranë me një qëllim të vetëm, vazhdimin e serialit të fitoreve edhe në kryeqytetin tonë. Edhe pse nuk janë përgjegjës direkt për rezultatet e kombëtares, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Basketbollit nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Korab Llazani, e kanë një kërkesë.
“Të shfaqin vetveten dhe të japin më të mirën e mundshme, – ka theksuar ai. – I takon trajnerit Borova, por dhe vajzave të shfaqen më dinjitoze përballë një kundërshtari si Italia. Së paku të shmangin humbjet me diferenca të mëdha. Ne çfarë kishim në dorë e kemi bërë gati në sallën kryesore sipas standardeve ndërkombëtare. Tashmë është në dorën e tyre të japin më të mirën e mundshme dhe maksimumin e saj që kanë. Ne e dimë se cili është niveli dhe nuk mund të pretendojmë më shumë.”