AlbanianSport.com 23.02.2016 09:10
ASNN – Shefi i Sektorit të Gjyqtarëve në FIBA Evropë, Davorin Nakiç, ka qenë në Prishtinë në fundjavën që e lamë pas, së bashku me instruktorin i FIBA-s, Gjorgi Piperkov, ku kanë mbajtur edhe një seminar praktik për gjyqtarët kandidatë potencialë (kombëtarë). Pas përfundimit të këtij seminari, i cituar nga faqja zyrtare në Internet e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Nakiçi ka folur për ecurinë e këtij seminari shumë të rëndësishëm për gjyqtarët.
“E kam thënë edhe para fillimit të seminarit se ky është një edukim për gjyqtarët e rinj dhe nuk është një kualifikim për licencë të FIBA-s, – ka theksuar ai. – Pjesë e këtij seminari kanë qenë tri shtete, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Pas këtij seminari, këta gjyqtarë të rinj do të jenë vazhdimisht në monitorim të FIBA-s në ndeshjet e kampionateve të tyre vendore dhe ka gjasa që, në vitin 2017, disa prej tyre të bëhen gjyqtarë të rinj ndërkombëtarë, por për të arritur deri aty duhet shumë punë.”
“Fakti që këta kanë qenë pjesë e këtij seminari nuk i garanton ata se do të bëhen gjyqtarë ndërkombëtar, por janë puna, përkushtimi dhe vullneti i tyre ato që ua sigurojnë një gjë të tillë”, – ka shtuar kroati. Nakiçi ka thënë se, përveçse do të monitorohen nga FIBA, gjyqtarët e rinj do të ftohen edhe në seminarë të tjerë praktikë jashtë Kosovës. “E rëndësishme është se ka filluar ky proces dhe se tani do të vazhdoj”, – theksoi zyrtari i organizmit që qeveris basketbollin evropian.
“Këta gjyqtarë, që ishin pjesë e seminarit, përveçse do të monitorohen nga FIBA, ata gjithashtu do të ftohen në seminarë të tjerë praktikë jashtë Kosovës, në mënyrë që të jenë vazhdimisht në proces të punës, krahas gjykimit në kampionatet e shteteve të tyre, – tha Nakiçi. – Unë me të vërtetë jam i kënaqur me gjithë punën që është bërë gjatë këtyre tre ditëve. Duhet ta theksoj se organizimi i seminarit nga ana e Federatës ka qenë në nivel të lartë dhe kjo e ka bërë edhe më të lehtë rrjedhën e kësaj veprimtarie.”
“Unë jam shumë i kënaqur me gjithë atë që është bërë për këto katër ditë”, – ka pohuar kroati, i cili ka theksuar se basketbolli kosovar është në rrugën e duhur dhe vetëm duhet vazhduar me këtë ritëm të punës. “Unë kam pasur rastin t’i shikoj 9 ndeshje, prej tyre të Superligës, Ligës së Parë, të Të Rinjve dhe të Ligës së Femrave, – ka thënë Nakiçi. -Mund të them se kam parë basketbollistë dhe basketbolliste të talentuara. Kam vërejtur se është punuar edhe nga ana e trajnerëve dhe kjo është shumë e rëndësishme.”
“Të gjithë e dimë se, në Superligë, rëndësi të madhe i kushtojnë përforcimeve nga jashtë vendi dhe kjo nuk ndodh vetëm në Kosovë, por në çdo shtet, mirëpo këtu kam parë dëshirë dhe vullnet për punë, andaj mendoj se basketbolli kosovar po shkon në rrugë të mirë dhe vetëm duhet vazhduar me këtë ritëm”, – ka përfunduar Shefi i Sektorit të Gjyqtarëve në FIBA Evropë, Davorin Nakiç, i cili ka qenë në Prishtinë në fundjavën që e lamë pas, së bashku me instruktorin i FIBA-s, Gjorgi Piperkov.