Gjergj Vyshka 22.02.2016 16:35
Dy kanë qenë përfaqësuesit e boksit shqiptar në Kupën e Pavarësisë së Kosovës 2016, e cila këtë fundjavë është zhvilluar në Prishtinë. Taulant Zajmi në peshën 56 kg dhe Denis Nurja në peshën 75 kg, të dy të Tiranës, të cilët konkurruan për kategorinë e të rriturve.
Taulant Zajmi ka fituar 3-0 ndaj kosovarit Flamur Gashi, ndërsa ndeshja është ndërprerë në raundin e dytë me vendim të gjyqtarit. E po kështu dhe Denis Nurja ka fituar 3-0 ndaj kosovarit Armend Nezaj, ndërsa ndeshja është ndërprerë nga mjeku në raundin e parë për shkak të dëmtimit të boksierit.
Taulant Zajmi është shpallur boksieri më teknik i Kupës së Pavarësisë së Kosovës. Sakaq sot nis konkurrimi në “Stradna Tournament” në Sofje të Bullgarisë, atje ku Shqipëria përfaqësohet nga Klevis Vrapi (52 kg), Kristian Zeneli (56 kg), Alban Beqiri (69 kg), Arjon Kajoshi (75 kg) dhe Syrja Marinaj (81 kg).
Trajnerë janë Jozef Sermi dhe Zef Gjoni. E duket se kështu ka nisur konkurrimi dinjitoz për boksin shqiptar.