AlbanianSport.com 20.02.2016 13:25
ASNN – Vijojnë golat në kampionatet e futbollit të vendeve evropiane dhe Jurgen Gjasula ka shënuar në Bundesligën e 2-të gjermane, Gjasula shënoi një tjetër gol, duke shpëtuar skuadrën e tij Grojther-Fyrthin nga humbja. Kështu, ka nisur me golin e Jurgen Gjasulës fundjava e futbollistëve shqiptarë që luajnë në kampionatet e ndryshme të Evropës.
Mesfushori ishte vendimtar për skuadrën e tij, Grojther-Fyrthin, në sfidën e javës së 22-të të Bundesligës 2 në Gjermani. Vendasit ishin në dizavantazh që nga fillimi i pjesës së dytë. Për të shpëtuar nga humbja, Grojther-Fyrthi duhet të priste deri në minutën e 67-të. Të zotët e shtëpisë fituan një 11-metërsh, ndërsa ekzekutimin e tij e mori përsipër Jurgen Gjasula. Mesfushori shqiptar goditi saktë, duke barazuar rezultatin.
Ky gol vulosi fatin e ndeshjes duke i dhuruar një pikë të rëndësishme Grojther-Fyrthit, që forcon pozitat në mesin e klasifikimit të Bundesligës 2 gjermane.