AlbanianSport.com 19.02.2016 18:00
ASNN – Flamurtari nuk ka kohë të festojë kualifikimin në Kupë, pasi të dielën ka një “finale” në Kategorinë Superiore me Vllazninë. Festa për triumfin e madh në Kupë ishte e destinuar të mbyllej shpejt. Flamurtari, gjysmëfinalist i Kupës së Shqipërisë, u kujtoi futbollistëve të tij se nuk kishin arritur asgjë edhe pse kishin eliminuar Tiranën brenda në kryeqytet.
Vendi i tretë nga fundi në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit nuk ta lejon një gjë të tillë. Trajneri Zekerija Ramadani nuk u dha lojtarëve të tij asnjë ditë pushimi, dhe stërvitja rifilloi menjëherë pas përballjes së Kupës. Nuk mund të ishte ndryshe për një ekip që, në një anë është vetëm dy ndeshje larg një kualifikimi të mundshëm në Evropë, dhe, nga ana tjetër, rrezikon seriozisht të bjerë nga kategoria.
Klubi vlonjat, po ashtu, ka hedhur poshtë çdo kërkesë të mediave për të intervistuar trajnerin apo futbollistët, me përjashtim të ditës së ndeshjes me Tiranën. Përpara është përballja jetike me Vllazninë. Të dielën, shkodranët shkojnë në Vlorë në një duel për mbijetesën, një sfidë ku, për të dyja skuadrat nuk mund të kërkohet tjetër përveçse fitorja.
Kur duhen edhe 15 ndeshje deri në mbyllje të kampionatit, nuk mund të ketë hapa të gabuar, aq më pak brenda në stadiumin “Flamurtari”. Vetëm në rast fitoreje ndaj Vllaznisë, gjendja mund të quhet më e qetë, edhe pse rreziku do të vazhdojë të ekzistojë.