AlbanianSport.com 19.02.2016 11:35
ASNN – FSHF e përfundon në fund të marsit stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, ndërsa ka edhe një debat për ngjyrën e stolave. Sipas asaj që raporton televizioni informativ në Shqipëri, “ABC News”, ai do të jetë gati në fund të marsit. Kjo është fjala e fundit e Federatës Shqiptare të Futbollit për stadiumin “Loro Boriçi”. Edhe pse impianti shkodran është ende në ndërtim e sipër, drejtuesit e futbollit besojnë se ky afat do të arrihet.
Punimet po shkojnë drejt fundit, me tapetin e vendosur prej disa kohësh, ndërsa pritet të nisë montimi i stolave në tribuna, vijon media në fjalë. I parashikuar fillimisht për të qenë gati në 8 tetorin e shkuar për ndeshjen Shqipëri-Serbi të Evropianit, stadiumi nuk mundi ta respektonte atë afat, dhe as të ishte gati në fund të vitit të kaluar. Sidoqoftë, fundi i marsit duket i arritshëm, pasi nuk ka mbetur shumë për të bërë, veçse, as në atë kohë impianti nuk do të jetë 100 % i përfunduar.
Gjithçka që do të ketë të bëjë me një ndeshje futbolli nuk do të mungojë, por punimet për aspektin e biznesit, pra dyqane e lokale, do të mbyllen më vonë. Nuk dihet saktë nëse “Loro Boriçin” e ri do ta përurojë Vllaznia e Shkodrës apo kombëtarja. Ekipi përfaqësues ka një ndeshje të planifikuar për më 29 mars, por ende nuk dihet kundërshtari, dhe as nëse do të luhet në Shqipëri apo jashtë. Në çdo rast, Vllaznia do të jetë e fituara e madhe.
Një stadium me gati 17,000 vende do të ishte arena ideale për një ekip me kaq shumë tifozë, por me kushtin që të kthehet pretendente për tituj. Ndërkaq, një polemikë ka shpërthyer për ngjyrën e stolave. Në qytet ka tifozë që nuk kanë mbetur të kënaqur me shiritin e bardhë që do të ndajë ngjyrat e Vllaznisë, kuq e blu, pasi sipas tyre ngjan me flamurin e Serbisë. Në Federatë përgjigjen se vendosja e ngjyrave në flamurin serb është e ndryshme, ndërsa kompozimi është bërë për të shmangur efektin negativ nëse në stadium do të ketë pak tifozë.