AlbanianSport.com 19.02.2016 08:50
ASNN – Pas Ligës së Kampioneve të martën dhe të mërkurën, të enjten është kthyer në fushat e blerta edhe Liga e Evropës, me ndeshjet e para të turit 32-shes. Midis tyre ka spikatur dueli i Stambollit, midis Gallatasarajit dhe Lacios, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar e u mbyll në barazim 1-1.
Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, ka luajtur të enjten në mbrëmje ndeshjet e para të turit të saj të 32-shes, duke ofruar disa rezultate interesante. Midis tyre ka spikatur dueli i Stambollit, midis Gallatasarajit dhe Lacios, i cili u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kjo ndeshje, që u mbyll në barazim 1-1, me dy gola të shënuar në pjesën e parë, ka qenë pjesë e një transmetimi maratonë në ekranin publik, që ka sjellë gjithashtu, edhe përmbledhjen e të gjithë golave të ndeshjeve të mbrëmjes evropiane. Sabri Sariollu i kaloi turqit në epërsi që në minutën e 12-të, por Milinkoviç-Saviç ka barazuar shifrat vetëm 9 minuta më pas për italianët.
Minutat e mbetura të pjesës së parë dhe pjesa e dytë nuk kanë sjellë gola të tjerë dhe Lacio merr me vete një barazim të çmuar për ndeshjen e kthimit. Midis rezultateve të tjera të mbrëmjes veçohen Borusia e Dortmundit-Porto 2-0, Fiorentina-Totenhem 1-1, Vijareal-Napoli 1-0, Olimpik i Marsejës-Atletiko e Bilbaos 0-1, Shahtjor i Donjeckut-Shalke 0-0, Sporting i Lisbonës-Bajer Leverkusen 0-1 dhe Valencia-Rapid i Vjenës 6-0.
Ndeshjet e kthimit të turit të 32-shes së Ligës së Evropës luhen pas një jave, më 25 shkurt 2016.