AlbanianSport.com 18.02.2016 17:55
ASNN – Duke folur pas ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj, trajneri i Vllaznisë, Bledar Gjeçaj, nuk e fshehu zhgënjimin: “Një pjesë e katërt shumë e dobët. Ekipi i jonë, e kam thënë edhe më përpara, shfaqi që në fillim shenjat e vetëkënaqësisë.”
“Ne bëmë të gjitha përpjekjet për të ndryshuar situatën, por lojtarët fituan edhe pak presion, sepse kur e merr ndoshta lehtë fillojnë më pas dhe vijnë ato problemet që na sollën me radhë tek Bekteshi, Berdica, Xhokoviç, amerikani Alen, qendrat nuk funksionuan”, – ka pohuar ai.
“I vetmi që luajti ishte Gjonaj, ai dha maksimumin në këtë ndeshje, por më vjen shumë keq që u eliminuam duke mos shkuar në finale”, – ka përfunduar trajneri shkodran i koshit të meshkujve. Ndërsa homologu i tij kryeqytetas, Roland Avrami, vlerësoi nivelin e lojës në parket.
“E kishim vlerësuar shumë ndeshjen pasi Vllaznia është “kampione” në fuqi, – ka thënë trajneri i Tiranës. – Por mendoj se u bë një lojë e mirë. Unë jam i kënaqur nga ekipi dhe dua të falënderoj të gjithë sportistët për atë që dhanë në fushën e lojës. Finalja është finale, 50/50 janë shanset për të dyja skuadrat, por ne do të këmbëngulim ta fitojmë Kupën.”