AlbanianSport.com 18.02.2016 17:10
ASNN – Pas ndeshjes së humbur me përfaqësuesen e femrave të Kosovës, trajneri i Shqipërisë, Altin Rraklli, deklaroi: “Kosova ishte më lart se ne në lojë, por duhet të kuptojmë se ekipi ynë nuk ishte i përgatitur për këtë ndeshje dhe pjesa më e madhe janë lojtare të reja. Mund të marrim lojtare nga ekipi i tyre dhe këtë gjë e kemi bërë në të kaluarën, siç është rasti i Qëndresa Krasniqit, që ka luajtur me ne.”
“Përsa i përket të ardhmes time në krye të stolit kuqezi, nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen për rezultatet e dobëta, sepse kushdo që të vijë nuk ka se çfarë të bëjë më shumë se kaq, – ka vijuar ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi. – Rrakllin do ta shihni në të ardhmen në futbollin e vërtetë, atë të burrave.” Ndërsa homologia e tij, trajnerja e Kosovës, A. Fatlija, i mbajti gjërat në perspektivë.
“Nuk kishte ndonjë rëndësi kush fitonte, pasi kjo ishte një ndeshje feste, – tha ajo. – Sidoqftë, na vjen mirë që morëm fitoren. Kishim grumbulluar vetëm lojtare që luajnë në kampionatin kosovar dhe jam e kënaqur nga paraqitja që kemi bërë. Përsa i përket faktit që nëse Shqipëria mund të na marrë ndonjë lojtare, nuk ka asnjë problem, pasi dihet që ekipi i parë është Shqipëria dhe më pas jemi ne.”