Gjergj Vyshka 18.02.2016 16:25
Kryesia e Federatës Shqiptare të Volejbollit në një mbledhje maratonë mes shumë debateve të mërkurën ka vendosur për trajnerët e ekipeve kombëtare të të rriturve dhe të rriturave, të cilat do të përfaqësohen në Ligën e Evropës. Për meshkuj tanët do të jenë përballë Bullgarisë, Maqedonisë dhe Danimarkës, ndërsa nga data 10, deri më 12 qershor 2016 do të jenë në Bullgari dhe nga data 17, deri më 19 qershor 2016 në Maqedoni.
E për femra do të jemi përballë Polonisë, Bjellorusisë, Sllovakisë. Nga data 3, deri më 5 qershor 2016 në Poloni dhe nga data 17, deri më 19 qershor 2016 në Shqipëri, atje ku sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, janë katër alternativa Tiranë, Durrës, Vlorë e Shkodër. Duke mbetur tek stafet, drejtori teknik i meshkujve do të ishte ish-volejbollisti i Dinamos dhe ekipeve kombëtare, trajner në Zvicër e Gjermani, Dritan Çuko.
Trajner i parë organizatori i talentuar i Partizanit dhe Skënderbeut, ekipit kombëtar, por mbi të gjitha dhe i ekipeve të Selanikut (Aris e Paok), atje ku dhe ushtron detyrën e trajneri, Jani Melka. E ndihmësi i tij Artan Kalaja. Tek femrat, drejtore teknike do të jetë zëvendëspresidentja e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Anila Hoxha. Trajner i parë Altin Martiro, kurse ndihmësi i tij, trajneri i Partizanit, Roland Tare.