AlbanianSport.com 22.10.2014 23:55
ASNN – Në një komunikatë për shtyp të publikuar të mërkurën në mbrëmje në faqen e saj zyrtare në Internet, Federata Shqiptare e Futbollit ka informuar median dhe opinionin ne lidhje me hapat qe ka ndërmarrë për paraqitjen e dokumenteve në Komisionin e Kontrollit të Etikës dhe të Disiplinës pranë UEFA-s, i cili do të mblidhet të enjten në Zvicër. Në materialin e mbrojtjes, të paraqitur nga Federata Shqiptare e Futbollit, theksohet që në ndeshjen Serbi-Shqipëri të datës 14 tetor 2014 futbollistët e Shqipërisë kanë qenë viktimë e dhunës fizike dhe verbale e shoqëruar me thirrje raciste.
Në një komunikatë për shtyp, të publikuar në faqen e saj zyrtare në Internet, Federata Shqiptare e Futbollit ka informuar se, në lidhje me thirrjet raciste, një kërkesë e veçantë i është dërguar UEFA-s ditën e hënë për përfshirjen e tyre në procedurën e hapur dhe zgjerimin e akuzave kundër Serbisë. Të gjitha këto shkelje janë të provuara nëpërmjet pamjeve filmike dhe raporteve mjekësore të cilat janë depozituar pranë UEFA-s. Siç rezulton edhe prej raportit të Delegatit të Sigurisë të UEFA-s janë evidentuar shkelje të rënda si: Mungesa e sigurisë së nevojshme të fushës së lojës, sjellja shumë e keqe e tifozëve, menaxhimi i dobët i stadiumit dhe gjendja e tij e keqe deri në konstatimin e faktit të rëndë që policia “nuk mund të mbrojë lojtarët dhe gjyqtarët”.
Si pasojë e sa më sipër, thekson FSHF-ja rezulton qartësisht që nuk janë siguruar kushtet e barabarta për vazhdimin e ndeshjes së futbollit. Në mbështetje të neneve të Rregullores së Disiplinës, jo vetëm që shkelja për të cilën është akuzuar Shqipëria duhet të rrëzohet, por FSHF ka kërkuar edhe fitoren 3-0 në tavolinë. Përsa i përket akuzës së banerit të paligjshëm që u shfaq mbi fushën e lojës, ajo duhet rrëzuar, ndër të tjera, për arsyet e mëposhtme: Në stadium nuk ka pasur tifozë të Shqipërisë përveç futbollistëve dhe delegacionit.
Si futbollistët ashtu edhe delegacioni janë kontrolluar nga policia pas ndeshjes dhe nuk është gjetur asnjë objekt për pilotimin e mini-helikopterit. Baneri ka ardhur nga zona jugore prapa portës, zonë e cila ka qenë me tifozë Serbë të cilët nuk kanë qenë të kontrolluar nga policia meqenëse kanë mundur të fusin në stadium flamuj politikë, sende të forta, madje edhe një fuçi. Për të gjitha këto arsye është e pamundur të përcaktohet autori i incidentit dhe fakti që ky i fundit është shqiptar. Si përfundim FSHF informon që vendimi i marrë nga UEFA mund të jetë objekt i apelimit pranë Gjykatës të Arbitrazhit të Sportit.