AlbanianSport.com 17.02.2016 20:35
ASNN – Volejbollistet e Dritës së Gjilanit, janë fituese të turneut të mbajtur në kuadër të organizimeve për nder të 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nën kujdesin e kryetarit të Lipjanit, Imri Ahmeti.
Në turneun e mbajtur në sallën e sporteve “Better Life” në Lipjan, Drita ka mposhtur në finale kampionët në fuqi, KV Skënderajn, me rezultatin 3-0. Gjatë rrugës së saj për në finale, Drita ka mposhtur Ulpianën vendase në gjysmëfinale.
Ndërsa në gjysmëfinalen tjetër Skënderaj fitoi ndaj Kastriotit të Ferizajt. Duhet theksuar se finalja e turneut u zhvillua në tri sete, ndërsa dy ndeshjet gjysmëfinale u luajtën me nga dy sete secila.
Volejbollistja më e mirë e turneut, u shpall Arjola Prenga e Dritës nga Gjilani, skuadër të cilës i takoi edhe kupa fituese, të cilën ia dorëzoi kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti. Kujtojmë këtu se, përveç Arjolës, tek skuadra gjilanase luajnë edhe dy motrat e saj, Amarilda dhe Adelajda.
Ky trofe ishte i dytë në pak javë për Arjolën, e cila, para se të transferohej në volejbollin kosovar, tek Drita, pati fituar edhe Kupën e Norvegjisë me ish-skuadrën e saj, Randabergun, që mposhti në finale Oslo Volejin.