AlbanianSport.com 17.02.2016 18:05
ASNN – Takimi miqësor mes kombëtares shqiptare të femrave dhe asaj të Kosovës të zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena” ka përfunduar me fitoren e këtyre të fundit me rezultat 1-3.
Në minutën e 17-të, skuadra kosovare shënoi golin e parë, me anë të Kryeziut, por barazimi erdhi pas 13 minutash, kur Behluli gjeti rrjetën për 1-1 për vajzat kuqezi. Dhe me rezultat të barabartë u mbyll edhe pjesa e parë.
Ndërsa në të dytën, u shënuan edhe dy gola të tjerë. Fillimisht, Anjeza Rexha shënoi në minutën e 70-të, ndërsa po e njëjta futbolliste gjen rrjetën tetë minuta nga fundi për të fiksuar rezultatin përfundimtar në shifrat 1-3.
Ndeshja që u shndërrua në festë për shkak të 8-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, shërbeu edhe për trajnerin Rraklli për të kolauduar skuadrën e tij për takimin eliminator të Euro 2017 kundër Ukrainës që do të luhet në datën 4 mars 2016.
Ndërkohë, Kosova po punon që të ndërtojë një ekip të rëndësishëm në pritje të vendimit të FIFA-s dhe UEFA-s për anëtarësimin me të drejta të plota, çka do të thotë se përfaqësuesja e femrave mund të luajë më pas edhe ndeshje zyrtare në kuadër eliminatoreve të Evropianit dhe Botërorit.